Politika e privatësisë
Përditësuar më 27 tetor 2026
Gjej Barnat ju lidh me barnatore të regjistruara: dërgoni recetën ose listën e barnave dhe barnatoret afër jush përgjigjen nëse i kanë. Gjej Barnat nuk diagnostikon, nuk rekomandon barna dhe nuk është barnatore.
Çfarë të dhënash mbledhim
- Llogaria: emri, email-i, qyteti dhe fjalëkalimi (i ruajtur vetëm i enkriptuar). Numri i telefonit është opsional.
- Hyrja me Google ose Apple: identifikuesi i llogarisë, email-i dhe emri që na jep Google ose Apple. Fjalëkalimin tuaj të Google ose Apple nuk e shohim.
- Fotot e recetës dhe barnat që kërkoni, bashkë me shënimet që shkruani.
- Vendndodhja e kërkesës: pika nga GPS-i, vetëm nëse e lejoni, përndryshe qyteti që zgjidhni.
- Përgjigjet, mesazhet dhe vlerësimet mes jush dhe barnatoreve.
- Të dhëna teknike: adresa IP dhe regjistrat e gabimeve, për siguri dhe për të rregulluar probleme.
Si i përdorim
- Për t'ua dërguar kërkesën barnatoreve në zonën që zgjidhni dhe për t'ju treguar përgjigjet e tyre.
- Për të lexuar automatikisht emrat e barnave nga fotoja e recetës.
- Për t'ju njoftuar kur një barnatore përgjigjet.
- Për sigurinë e llogarisë dhe për të parandaluar abuzimet.
Nuk i shesim të dhënat tuaja, nuk shfaqim reklama dhe nuk i përdorim për marketing.
Kush i sheh
Fotoja e recetës dhe barnat shkojnë vetëm te barnatoret që e marrin kërkesën tuaj, jo te barnatoret e tjera dhe jo te publiku. Barnatorja nuk e sheh emrin tuaj. Numrin e telefonit e sheh vetëm nëse ju zgjidhni që t'ju telefonojë.
Për të funksionuar, aplikacioni përdor këto shërbime, që i përpunojnë të dhënat vetëm për llogarinë tonë:
- Google Cloud Vision: leximi i tekstit nga fotoja e recetës.
- Cloudflare: ruajtja e sigurt e fotove dhe mbrojtja e serverit.
- Google dhe Apple: hyrja me llogarinë tuaj, nëse e zgjidhni.
- OneSignal: dërgimi i njoftimeve në telefon.
- OpenStreetMap: shfaqja e hartës.
Sa kohë i ruajmë
- Fotot e recetës fshihen automatikisht 30 ditë pasi kërkesa mbyllet. Mbeten vetëm emrat e barnave dhe përgjigjet, për historikun tuaj.
- Njoftimet në aplikacion fshihen pas 90 ditësh.
- Të dhënat e llogarisë ruhen derisa ta fshini llogarinë.
Fshirja e llogarisë
Llogarinë mund ta fshini kurdo nga aplikacioni, te cilësimet e profilit: Fshi llogarinë. Kërkesat e hapura anulohen, fotot e recetave fshihen menjëherë, dhe emri, email-i, telefoni dhe lidhja me Google ose Apple hiqen nga llogaria.
Të drejtat tuaja
Sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, keni të drejtë të kërkoni qasje, korrigjim ose fshirje të të dhënave tuaja, dhe të kundërshtoni përpunimin e tyre. Na shkruani në adresën më poshtë. Keni të drejtë edhe të ankoheni te autoriteti për mbrojtjen e të dhënave personale.
Kontakt
Për çdo pyetje rreth privatësisë: [email protected]